Ky artikull përmban përshkrime të dhunës që disa lexues mund t’i konsiderojnë shqetësuese.
Duke u rritur, mbaj mend që i tërë trupi im rrënqethej çdo herë që dëgjoja çelësin e derës kur e hapte babai im.
Në çfarë gjendje shpirtërore do të ishte ai kur të kthehej në shtëpi nga puna? A do të nxiste ndonjë grindje? A do të më godiste duke më rrahur me rripin e tij apo thjesht duke më goditur pas kokës?
Unë isha me fat që mund të ikja nganjëherë në shtëpinë e mikeshës time më të mirë, poshtë rrugës, që të mos e takoja babin.
Dhe të nesërmen, ai do të shkonte përsëri në punë, gjersa unë do të shkoja në shkollë, gjë e cila nënkuptonte pak pushim nga britmat përçarëse dhe dhuna mizore.
Dashuria në jetën tonë vinte nga mamaja ime e mahnitshme, që bëri gjithçka të mundur për të kompensuar dështimet e tij.
Kur kryeministri na tha të gjithëve të rrinim në shtëpi për shkak të koronavirusit, menjëherë më shkoi mendja te ata që jetonin nëpër shtëpi abuzive – gra, burra dhe fëmijë, në thelb të bllokuar, të detyruar të qëndrojnë brenda me javë të tëra. Çfarë do të ndodhte me ta?
Kalimi i muajve të fundit duke mësuar në lidhje me realitetin e abuzimit në familje gjatë izolimit ka qenë diçka tronditëse – por kam takuar edhe gra që guximshëm kanë ikur gjatë rrethanave tejet sfiduese.

Xhesi * kishte qenë me burrin e saj të dhunshëm për shumë vite. Gjatë marrëdhënies së tyre, ai e kishte sulmuar shumë herë – duke e grushtuar, duke e ngulfatur atë, duke e kontrolluar se si vishej dhe si i rregullonte flokët.
Ajo thotë se duhej të kërkonte lejen e tij për të përgatitur një filxhan çaj, madje edhe kur të shkonte në tualet. Por, kur u vendos izolimi, dhuna u përshkallëzua në nivelet më ekstreme.
Si shumica prej nesh, Xhesi dhe burri i saj po vëzhgonin Boris Johnson ndërsa ai ju thoshte popullit të qëndronin në shtëpi për të ndaluar përhapjen e Covid-19. Atëherë ai iu drejtua asaj dhe i tha me ngulm: ‘Le të filloj loja’.
Historia e saj është një nga më brutalet që kam dëgjuar ndonjëherë.
Ajo tregoi se ishte përdhunuar nga burri më shumë se njëqind herë. “Perdet mbylleshin, televizorit i ngrihej zëri, dera e përparme mbyllej, muzika lëshohej, kështu që askush nuk mund të më dëgjonte duke bërtitur”, kujton ajo. Ai ia dogji pjesën e sipërme të këmbëve me cigare, ashtu që askush më nuk do ta donte atë”.
BBC Panorama ka mësuar intensitetin e abuzimit të përshkallëzuar gjatë karantinës – veprat penale përfshinin helmim dhe mbytje.
Women’s Aid ka punuar në projektin e parë të gjerë kërkimor në lidhje me efektin e kufizimeve të lëvizjes karshi abuzimit në familje. Nga njerëzit me të cilët u bisedua, pothuajse dy të tretat e atyre që jetonin me abuzuesin thanë se dhuna u përkeqësua, dhe tre të katërtat thanë se izolimi i tyre e kishte bërë më të vështirë për të ikur.
Ndërkohë, thirrjet drejt Respect Men’s Advice Line për viktimat meshkuj u rritën me 65% gjatë tre muajve të parë të kufizimeve të lëvizjes.
Për disa njerëz, pandemia u përdor nga abuzuesi i tyre si një formë kontrolli.
Kur e pyeta Xhesin se çfarë do të thoshte mesazhi i ‘qëndrimit në shtëpi’ për të, ajo thjesht tha: “Vdekje”.
Përgjatë tre javëve në karantinë burri i saj i tha ‘sot do të jetë dita e fundit që e sheh dritën e diellit’. Ajo e dinte që duhej të ikte, përndryshe druante se do ta linte shtëpinë e saj “e mbyllur në arkivol”.

Kur isha rreth 12 vjeç, mbaj mend që shkova në komisariat, pasi babai im mbylli nënën time në dhomën e gjumit të tyre dhe filloi ta rrahë.
Unë u tremba se ai do të vriste atë.
Telefoni ynë ishte ndërprerë sepse ai nuk e kishte paguar faturën – një mënyrë tjetër për të tentuar të na izolonte nga miqtë dhe familja.
Unë vrapova sa më shpejt që pata mundësi në stacion dhe, pa frymë, iu luta oficerit që të vinte dhe të ndihmonte.
Por, gjatë izolimit disa prej atyre që ishin në marrëdhënie të dhunshme, patën vështirësi të merrnin madje edhe telefonin për të thirrur policinë, e lëre më të vraponin për ndihmë, sepse abuzuesi i tyre ishte në shtëpi 24/7.
Xhesi e dinte që ajo duhej ta shpëtonte veten disi përmes policisë, por ajo nuk mund të alarmonte burrin e saj.

Ndërsa ai flinte në divan, ajo kërkoi në Google ‘si të kontaktoni policinë pa i thirrur ata’, e tmerruar se ai do të zgjohej. Pasi dërgoi një mesazh tek REGJISTRI në numrin e policisë dhe mori një përgjigje fillestare, ajo u dërgoi atyre adresën e saj. Oficerët mbërritën brenda pak minutash.
BBC Panorama ka zbuluar se në shtatë javët e para të izolimit në Mbretërinë e Bashkuar ka pasur telefonata në polici për ndihmë në lidhje me abuzimet në familje çdo 30 sekonda – kjo ka të bëj si me viktimat femra ashtu dhe meshkuj.
Qeverisë së Anglisë i’u deshën 19 ditë pasi vendosi kufizimet në lëvizje për të shpallur një fushatë të mediave sociale, për të inkurajuar njerëzit të raportojnë abuzimin në familje, si dhe një shtesë prej 2 milion funtash për linjat ndihmëse të abuzimit në familje.
Fiona Dwyer, shefja ekzekutive e Solace, një nga ofruesit më të mëdhenj të hapësirave të strehimit më tha, “mosveprimi dhe ngadalësia e qeverisë për t’u përgjigjur e bëri këtë periudhë sfiduese edhe më sfiduese “.
“Nëse shikoni se kush ishte në kabinet, janë shumë burra të privilegjuar. Kështu që mbase nuk është një çështje për të cilën ata brengosen,” thotë ajo.
Unë nuk kam takuar një të mbijetuar, punonjës bamirësie ose një avokat të abuzimit në familje në muajt e fundit i cili tha se kishin parë ndonjë dëshmi që qeveria në Angli kishte konsideruar efektin e bllokimit të atyre që jetojnë në një familje abuzive.

Por, Ministrja e Mbrojtjes, Victoria Atkins, mohoi që ata ishin shumë të ngadaltë për të vepruar. Qeveria ishte “e vetëdijshme ndaj rreziqeve të abuzimit në familje”, po fliste me shoqatat e bamirësisë në ditët e para dhe “reagoi shumë shpejtë” tha ajo.
Përgjat afro tre javë mes fillimit të karantinës dhe fushatës së qeverisë “Ju nuk jeni vetëm”, 11 gra, dy fëmijë dhe një burrë u vranë në rastet e supozuara të abuzimit në familje.
Përgjegjësia për ato vdekje bie mbi autorët, por a mund të ishin shpëtuar jetët, nëse qeveria do të kishte vepruar më shpejt?
“Do të ketë kohë për të reflektuar në mësimet që do të nxirren përgjatë tërë pandemisë”, më tha zonja Atkins. Ajo tha se po punonte për të hequr afatin e tetorit, duke kërkuar shoqatat bamirëse për të shpenzuar fondet urgjente të qeverisë që i morën.
Xhesit iu desh të linte shtëpinë e saj dhe opsioni i saj i vetëm ishte të përpiqej të gjente një vend në një strehimore. Jeta e saj që kur arriti në një strehimore në Uells të drejtuar nga bamirësia Llamau është transformuar – falë mbështetjes nga stafi i përkushtuar dhe të mbijetuarit e tjerë të kujdesshëm.
Mbretëria e Bashkuar potencialisht përballet me një sulm të mëtejshëm të koronavirusit dhe më shumë izolime lokale ndërsa shkojmë drejt dimrit. Fiona Dwyer i ‘Solace’ tha që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të sigurohet që ka “fonde të forta të qëndrueshme për shërbimet e ardhshme”.
Prindërit e mi u divorcuan kur isha 16 vjeç dhe kjo ishte kur shpëtuam nga dhuna. Por, jo të gjithë të mbijetuarit e abuzimit në familje largohen nga shtëpia e tyre. Pse do të duhej të largoheshin? Të tjerët nuk munden sepse janë të tmerruar që abuzuesi i tyre do t’ju shkoj pas; shumë thjesht, nuk mund të largohen sepse nuk janë të pavarur financiarisht.
Për ata si Xhesi që ndërmorën atë hap gjatë karantinës, ka qenë liri e vërtetë. “Ndihem e sigurt. Nuk ndjehem e kërcënuar. Mund të shkoj në shtrat natën duke e ditur se asgjë nuk do të ndodhë me mua.”
*Xhesi nuk është emri i saj i vërtetë.
Tekstin origjinal e gjeni te “BBC”.