Shkrim nga Prof. Ass. Dr. Elton Bahtiri, Specialist i Farmakologjisë klinike dhe Specialist i Endokrinologjisë
Për shkak të ndikimit të madh dhe të rëndë në jetën e njerëzve dhe të shoqërisë, pandemia COVID-19 është larg nga të qenit vetëm fenomen mjekësor. Përkundër kësaj, në këto rrethana, barra kryesore ka rënë në stafin shëndetësor. Masa janë ndërmarrë, por duket që jemi larg nga përmbysja e rezultatit.
Meqenëse në mesin e të sëmurëve me COVID-19 mund të ketë dhe pacientë që vuajnë nga sëmundja e sheqerit (Diabeti mellitus) dhe sfidave komplekse në menaxhimin e rasteve, më poshtë janë përmbledhur disa rekomandime për menaxhimin e diabetit gjatë COVID-19, të nxjerra nga literatura e publikuar muajve të fundit që, në pamundësi të konsultimit të endokrinologut, mund të përdoren si udhërrëfyes trajtimi.
Është thënë që “diabeti është dinamit nëse shfaqet COVID-19”, prandaj duhet angazhim i pashoq i secilit që dinamitit t’i laget fitili.
1. REKOMANDIME PËR STAFIN SHËNDETËSOR QË KUJDESN PËR PACIENTËT ME COVID-19 DHE ME DIABET
1.1. Në pacientët jashtëspitalor me COVID-19 të lehtë, nëse kanë gjendje të përgjithshme të mirë, dhe nëse pijnë dhe ushqehen mirë, mund të vazhdoj përdorimi i barnave antidiabetike orale të zakonshme, me rekomandimin për monitorim më të shpeshtë të glikemisë (profilit glikemik).
1.2. Për shkak të ndërlikimeve të shumëfishta shoqëruese të COVID-19, duke përfshirë insuficiencën respiratore, sepsën dhe barkqitjet, por pa u kufizuar vetëm në to, në shumë pacientë të hospitalizuar duhet të modifikohet terapia e diabetit, duke ndërprerë barnat antidiabetike orale, siç janë metformina apo glimepiridi, dhe TË KALOHET NË TERAPI ME INSULINË. Terapia insulinike mbetet standard i kujdesit në menaxhimin e hiperglikemisë në pacientët e hospitalizuar me COVID-19.
Insulinoterapia me rrugë intravenoze (infuzive)-në pacientët në gjendje kritike- apo regjimi bazal bollus-në pacientët në gjendje jokritike- mund të jetë metodë efektive dhe e sigurt për arritjen e caqeve glikemike (6.0 – 10.0 mmol/l, ndonëse mund të konsiderohet e pranueshme deri në 12.0 mmol) dhe për të përmirësuar prognozën e COVID-19.Duhet përmendur që nevojat për insulinë mund të ndryshojnë në baza ditore, madje edhe brenda orësh te pacientët me COVID-19 në gjendje kritike.
1.2.1. Te regjimi bazal-bollus, doza terapeutike ditore (DTD) empirike e insulinës në rast inicimi për herë të parë është 0.4 njësi/kg/ditë (0.2 njësi nëse >65 vjeç, me sëmundje zemre, veshkash apo mëlçie), nga e cila 50% insulinë bazale (Detemir insulin -Levemir*) dhe 50 % insulinë prandiale analoge (Aspart insulin-Novorapid*, e ndarë më tutje në 3 pjesë të barabarta për secilin vakt ushqimor). P.sh. 80 kg x 0.4 UI = 32 UI, nga te cilat 16 UI Levemir ne ora 20:00-22:00, dhe nga 5 UI Novorapid para mëngjesit, drekës dhe darkës.
1.3. Për më tepër, disa nga barnat e përdorura në menaxhimin e simptomave të COVID-19, si psh. glukokortikoidet (Deksametazoni) mund të prekin glikorregullimin.
1.3.1. Për individët që nuk kanë diagnozë të diabetit, të monitorohet glikemia të paktën çdo 6 orë (para vakteve ushqimore dhe para gjumit). Nëse gjatë 48 h të para glikemitë janë <10.0 mmol), të monitorohen vetëm 1 herë në ditë (në ora 17-18).
1.3.2. Për individët që kanë diagnozë të diabetit, glikemitë të monitorohen njëjtë apo edhe më shpesh nëse vlerat janë > 10.0 mmol/l.
1.3.3. Për korrigjim të hiperglikemisë fillestare (glikemia >12.0 mmol/l):- të jepet Novorapid nën lëkur, bazuar në peshën trupore-te individët pa insulinoterapi paraprake, apo bazuar në DTD-te individët me insulinoterapi (shih tabelën 1).
1.3.4. Për mbajtje të kontrollit glikemik: – te individët pa insulinoterapi, rekomandohet NPH insulina (psh. insulina premikse Novomix* 70/30), në dozë 0.3 UI/kg peshë trupore (doza prej 0.15 UI/kg në të moshuar > 70 vj. dhe nivel kreatinine >175 umol/l), ashtu që 2/3 e dozës totale ditore jepen në mëngjes (ora 7:00-8:00), ndërsa 1/3 pasdite (ora 17:00-18:00) psh. 80 kg x 0.3 UI/kg = 24 UI në ditë, ashtu që 16 UI në mëngjes dhe 8 UI pasdite.- te individët paraprakisht me insulinoterapi, qoftë me Novomix* qoftë insulina me veprim të gjatë – Levemir* apo Lantus*, vazhdohet terapia e njëjtë, por varësisht nga vlerat e glikemisë modifikohet doza, duke e rritur 10-20% dozën apo edhe më tepër, varësisht nga përgjigjja (shih tabelën 2).
1.4. Në këtë kontekst, sidomos në rast inicimi për herë të parë të terapisë me insulinë, statusi i kaliumit duhet të vlerësohet dhe të mbahet në kontroll (balanc), sepse hipokalemia është e shpeshtë te pacientët me COVID-19.
2. REKOMANDIM PËR STAFIN SHËNDETËSOR ME DIABET
Stafi shëndetësor që vuan nga sëmundja e sheqerit, duhet të kryejnë detyra klinike sa më larg vijës së parë të frontit që të jetë e mundur. Poqëse kjo nuk është e mundur të përdoren masa mbrojtëse më të avancuara.
3. REKOMANDIM PËR IKSHPK dhe MSH
Të shikohet mundësia e testimit preferencial dhe gjenerimin brenda ditës të rezultateve të RT PCR në rast të simptomave të dyshimta të COVID -19 te diabetikët në moshë të shtyrë, me kohëzgjatje të gjatë të sëmundjes së sheqerit apo atyre me sëmundje bashkëshoqëruese.

