(CNN) Covid-19 mund të jetë një sëmundje e tejzgjatur, madje edhe te të rinjët pa sëmundje kronike, njoftuan të premten Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. 35% e të anketuarve nga agjensia thanë që ata ende nuk kishin arritur në shëndetin e tyre të zakonshëm edhe pas dy deri tre javëve pasi dolën pozitiv për Covid-19.
CDC kishte rezultate të sondazhit nga 292 persona që kishin dalur pozitiv për Covid-19 dhe ishin trajtuar si ambulant nga 15 Prilli deri më 25 Qershor. Intervistat u bënë 14 deri në 21 ditë pasi njerëzit u testuan fillimisht. Rezultatet u raportuan në Raportin e Javës së Sëmundshmërisë dhe Vdekshmërisë së CDC-së të premten.
Nga të anketuarit, 94% thanë se kishin të paktën një simptomë kur shkuan për tu testuar për Covid-19. Njerëzit raportuan se kishin një numër mesatar prej shtatë nga 17 simptomat e listuara nga CDC. Lodhja ishte ankesa më e zakonshme, e ndjekur nga kollitja dhe një dhimbje koke.
Për njerëzit, simptomat e të cilëve vazhdojnë të qëndrojnë, 43% thanë se kishin kollitje, 35% thanë se ndjeheshin të lodhur, dhe 29% thanë se kishin vështirësi me frymëmarrje. Koha mesatare që ata ishin intervistuar ishte 16 ditë që nga dita kur ata dolën pozitiv.
65% e të anketuarve thanë se ishin rikthyer në gjendjen e tyre të zakonshme të shëndetit pesë deri në 12 ditë pasi ata kishin dalur pozitiv me Covid-19.
Mosha dukej se luante një rol nëse dikush ende ndjehej i sëmurë edhe kur kalojnë javë pas një rezultati pozitiv. Shumica e njerëzve në demografinë 50 vjeç e më të vjetër, 47%, thanë se ata ende kishin simptoma, disa javë pas testimit të tyre. Në krahasim me personat nga 18 deri në 34 vjeç, ku 26% thanë se ende kishin simptoma. Për njerëzit në moshën 35 deri në 49 vjeç, 32% thanë se ata ende nuk ishin plotësisht të shëndetshëm.
Sa më shumë kushte kronike të ketë pasur dikush, aq më shumë ka gjasa që ata akoma të kenë simptoma të tejzgjatura. Por edhe 1 në 5 të rinj të moshës 18 deri në 34 vjeç, të cilët nuk kishin kushte kronike mjekësore, thanë se nuk ishin shëruar plotësisht.

Studimet e hershme kanë treguar që pacientët e shtruar në spital mund të kenë kohë të gjatë shërimi. Një studim i pacientëve në Itali i kryer dy muaj pasi u sëmurën, zbuloi se më shumë se 87% ende kishin të paktën një simptomë dhe më shumë se gjysma thanë se ata ende kishin tre ose më shumë simptoma.
Disa mjekë kanë shprehur shqetësimin se simptomat mund të zgjasin me vite dhe disa nuk mund të shërohen plotësisht. Ka studime në zhvillim e sipër për të vlerësuar efektet afatgjata dhe disa klinika kanë filluar të krijojnë programe që ndihmojnë njerëzit me simptoma afatgjata Covid-19.
Një klinikë në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, sillte specialistë të lodhjes kronike, dietologë dhe psikolog për të ndihmuar ata që ishin shtruar në spital, por ata tani kanë filluar të shohin pacientë me raste më të buta të sëmundjes, të cilët vijnë për ndihmë gjithashtu. Disa “bartës të gjatë të Covid-19”, pasi disa kanë filluar t’i quajnë ata kështu, po përjetojnë simptoma me muaj.
Autorët e studimit të ri të CDC argumentojnë se udhëheqësit e shëndetit publik duhet të kujtojnë njerëzit që mund të mos e marrin seriozisht Covid-19, që edhe të rinjtë, më të shëndetshëm që marrin një formë më të butë të sëmundjes, mund të kenë simptoma me javë të tëra.
Njerëzit duhet të marrin masa paraprake, tha CDC, dhe t’i pastrojnë shpesh duart, të vendosin një maskë në publik dhe të mbajnë distancën fizike nga të tjerët për të ngadalësuar përhapjen e Covid-19.
Tekstin origjinal e gjeni te “CNN”.