Simptomat që nuk lidhen gjerësisht me virusin – si konfuzioni dhe dhimbja e barkut – kanë rezultuar se janë shenja dalluese të formave më të rënda të tij.
Shkencëtarët kanë identifikuar gjashtë lloje të dallueshme të COVID-19 – secila me një koleksion specifik të simptomave – në një përparim studiues që mund të ndihmojë mjekët të parashikojnë se cilët pacientë janë më të rrezikuar.
Format e ndryshme të sëmundjes besohet se përcaktojnë ashpërsinë e saj në mesin e atyre që janë të infektuar – dhe që mund të kenë nevojë për ndihmë me frymëmarrje artificiale në spital.
Ata që e kanë bërë studimin, të udhëhequr nga studiues nga King’s College London, thonë se të gjeturat do të kenë efekte të mëdha në vendimet e trajtimit gjatë një vale të dytë të mundshme të koronavirusit dhe kjo mund të “shpëtojë jetë”.
Megjithëse kollitja e vazhdueshme, temperatura e lartë dhe humbja e shqisës së nuhatjes zakonisht theksohen si tre simptomat kryesore të sëmundjes, të dhënat e mbledhura nga rreth 1.600 përdorues të aplikacionit “COVID Symptom Study” në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA tregojnë se njerëzit mund të përjetojnë një gamë të gjerë efektesh të ndryshme.
Këto mund të përfshijnë dhimbje koke, dhimbje të muskujve, lodhje, diarre, konfuzion, humbje të oreksit, gulçim dhe të tjera.
Kështu studiuesit arritën në përfundimin se nga gjashtë grupet kryesore të simptomave, çdo person i infektuar prirej të tregonte se sa shpejt sëmundja do të përparonte dhe sa ka të ngjarë që ata të sëmuren.
Ata paraqitën gjashtë grupimet e veçanta – ose “llojet” e COVID-19 – si më poshtë:
1. ‘Sikurse gripi’ por pa temperaturë – Dhimbje koke, humbje eshqisës së nuhatjes, dhimbje muskulore, kollë, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks, pa temperaturë.
2. ‘Sikurse gripi’ me temperaturë – Dhimbje koke, humbje e shqisës së nuhatjes, kollë, dhimbje të fytit, ngjirje e zërit,temperaturë, humbje e oreksit.
3. Gastrointestinale – Dhimbje koke, humbje e shqisës së nuhatjes, humbje e oreksit, diarre, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks, pa kollë.
4. Niveli i rëndë I, lodhja – Dhimbje koke, humbje e shqisës së nuhatjes, kollë, temperaturë, ngjirje ngjirje e zërit, dhimbje në gjoks, lodhje.
5. Niveli i rëndë II, konfuzion – Dhimbje koke, humbje e shqisës së nuhatjes, humbje e oreksit, kollë, temperaturë, ngjirje e zërit, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks, lodhje, konfuzion, dhimbje muskulore.
6. Niveli i rëndë III, barku dhe frymëmarrja – Dhimbje koke, humbje e shqisës së nuhatjes, humbje e oreksit, kollë, temperaturë, ngjirje e zërit, dhimbje të fytit, dhimbje në gjoks, lodhje, konfuzion, dhimbje muskulore, gulçim, diarre, dhimbje barku.
Ata thanë që rezultatet e pacientëve ndryshojnë ndjeshëm – nga simptoma të lehta të ngjashme me gripin ose nga një skuqje e thjeshtë e lëkurës tek sëmundja e rëndë ose vdekja.
Gjashtë grupimet e simptomave – të cilat u shfaqën në pika të ngjashme në gjendjen e përparuar të sëmundjes – u identifikuan nga studiuesit së bashku me ashpërsinë e mundshme që secila prirej të korrespondonte.
Dhe ekipi që kreu studimin tha që ndërsa disa nga simptomat e radhitura – të tilla si konfuzion, dhimbje barku dhe gulçim – nuk kishin qenë të lidhura gjerësisht me COVID-19, ato ishin shenjë dalluese e formave më të rënda të tij.
U zbulua se vetëm 1.5% e njerëzve me grupin 1, 4.4% të njerëzve me grupin 2 dhe 3.3% të njerëzve me grupin 3 kërkojnë ndihmë me frymëmarrjen artificiale.
Por, këto shifra ishin përkatësisht 8.6%, 9.9% dhe 19.8% për grupet 4, 5 dhe 6 – ndërsa gati gjysma e pacientëve në grupin 6 përfunduan në spital, krahasuar me vetëm 16% të atyre në grupin 1.
Studiuesit thanë që, në përgjithësi, njerëzit me grupet 4, 5 ose 6 kanë tendencë të jenë më të moshuar dhe të dobët, dhe kanë më shumë të ngjarë të ishin mbipeshë dhe të kenë kushte para-ekzistuese si diabeti ose sëmundja e mushkërive sesa ata me grupin 1, 2 ose 3.
Pasi identifikuan grupimet e ndryshme, ata kombinuan informacione për moshën e pacientit, gjininë, BMI dhe gjendjet para-ekzistuese me simptoma që secilit ju morrën në vetëm pesë ditë nga fillimi i sëmundjes.
Kjo i lejoi ata të krijonin një model për të cilin ata thonë se parashikon më saktë – dhe, në mënyrë thelbësore, më herët – në cilin grup bie secili pacient dhe sa ka të ngjarë të kërkojnë trajtim spitalor dhe ndihmë me frymëmarrjen artificiale.
Dr. Claire Steves, nga King’s College London, tha: “Këto gjetje kanë implikime të rëndësishme për kujdesin dhe monitorimin e personave që janë më të prekur nga COVID-19 i rëndë.
“Nëse mund të parashikoni se kush janë këta njerëz në ditën e pestë, ju keni kohë t’u jepni atyre ndihmë dhe ndërhyrje të hershme, siç është monitorimi i oksigjenit në gjak dhe niveli i sheqerit, dhe të siguroheni që ata të jenë të hidratuar siç duhet – kujdes i thjeshtë që mund të jepet në shtëpi, duke parandaluar shtrimin në spital dhe duke shpëtuar jetë ”.
Gjersa Sebastien Ourselin, profesor i inxhinierisë së kujdesit shëndetësor në King’s College London dhe autor i lartë i studimit, tha që hulumtimi kishte “një ndikim të thellë në të kuptuarit tonë për shtrirjen dhe ndikimin e COVID-19”.
Profesori Tim Spector shtoi se gjetjet treguan rëndësinë që njerëzit të hyjnë në zakonin e përdorimit të aplikacionit për çdo ditë, “duke na ndihmuar të qëndrojmë para çdo pike të nxehtë lokale ose një vale të dytë të infeksioneve”.
Artikullin origjinal mund ta lexoni në “Sky News”.