(CNN) Pandemia e koronavirusit është zhvendosur në popullata më të reja në pjesën më të madhe të SH.B.A.-së, një ndryshim që mund të nënkuptojë më pak sëmundje serioze dhe shkallë më të ulët të vdekjes, thanë të enjten Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Është e qartë që tani infeksioni po synon individë të rinj,” tha drejtori i CDC, Dr. Robert Redfield gjatë një njoftimi për media.
Të rinjtë mund të mos marrin rreziqe të përhapjes së pandemisë aq seriozisht sa duhet, shtoi Dr. Jay Butler i CDC. “Ne duhet të nxjerrim mësim nga kjo situatë se të rinjtë nuk janë natyrshëm imunë nga ky virus, megjithëse mund të jenë në rrezik më të ulët të infeksionit të rëndë,” tha ai.
Rreziku i komplikimeve serioze dhe vdekja rritet me kalimin e moshës, thotë CDC, megjithëse nuk ka vijë të qartë të moshës për rrezik më të lartë ose më të ulët. Njerëzit me diabet, sëmundje të veshkave, astmë të mesme deri në të rëndë dhe obezitet janë gjithashtu në rrezik më të madh.
Në përgjigje të një pyetjeje nga CNN, Butler pranoi se SHBA ka një përqindje të lartë të të rinjve me obezitet. “Ne duhet ta pranojmë realitetin. Vendi ynë nuk është aq i shëndetshëm sa disa vende të tjera, veçanërisht nëse shikoni obezitetin dhe disa kushte të tjera mjekësore,” tha ai.
Do të jetë e rëndësishme të nxjerrim mësimin nga kjo situatë, tha Butler. “Të gjithë duhet të kuptojnë se ekziston ende rreziku i sëmundjes së rëndë, përfshirë midis të rinjve”, tha ai.
Butler tha që CDC po eksploronte përdorimin e mjeteve të rrjeteve sociale si TikTok për të arritur audiencën më të re.
Tekstin origjinal e gjeni te “CNN”.