Ushqimi i një diete të shëndetshme është shumë i rëndësishëm gjatë pandemisë COVID-19. Ajo që hamë dhe pimë mund të ndikojë në aftësinë e trupit tonë për të parandaluar, luftuar dhe për tu shëruar nga infeksionet.
Ndërsa asnjë ushqim ose shtesë dietike nuk mund të parandalojë ose kurojë infeksionin COVID-19, dietat e shëndetshme janë të rëndësishme për mbështetjen e sistemit imunitar. Ushqimi i mirë gjithashtu mund të zvogëlojë gjasat e zhvillimit të problemeve të tjera shëndetësore, duke përfshirë obezitetin, sëmundjet e zemrës, diabetin dhe disa lloje të kancerit.
Për fëmijët e vegjël, një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar është thelbësore për rritjen dhe zhvillimin. Për njerëzit e moshuar, mund të ndihmojë për të siguruar jetë më të shëndetshme dhe më aktive.
Këshilla për mirëmbajtjen e një diete të shëndetshme:
1. Ushqehuni me një shumëllojshmëri të ushqimit, përfshirë frutat dhe perimet
• Çdo ditë, hani një përzierje të drithërave integrale si gruri, misri dhe orizi,fasule, shumë fruta dhe perime të freskëta, me disa ushqime nga burime shtazore (psh. Mish, peshk, vezë dhe qumësht).
• Zgjidhni ushqime integrale si misri i papërpunuar, mielli, tërshëra, gruri dhe orizi kafe kur të keni mundësi; ato janë të pasura me fibra të vlefshme dhe mund t’ju ndihmojnë të ndjeheni të plotë për më gjatë.
• Për mes-shujta, zgjidhni perime të papërpunuara, fruta të freskëta dhe arra të papërpunuara.
2. Kufizoni përdorimin e kripës
• Kufizoni konsumimin e kripës në 5 gram (ekuivalent me një lugë çaji) në ditë.
• Kur gatuani dhe përgatisni ushqime, përdorni kripë me pakicë dhe zvogëloni përdorimin e salcave të kripura (si salca e sojës ose salca e peshkut).
• Nëse përdorni ushqim të konservuar ose të thatë, zgjidhni varietetet e perimeve, arra dhe fruta, pa kripë dhe sheqerna të shtuar.
• Hiq kriporen nga tryeza.
• Kontrolloni etiketat e ushqimit dhe zgjidhni produkte me përmbajtje më të ulët të natriumit.
3. Hani sasi të matur të yndyrnave dhe vajrave
• Zëvendësoni gjalpin dhe sallamin me yndyrna më të shëndetshme si ulliri, soja, luledielli ose vaji i misrit kur gatuani.
• Zgjidhni mish të bardhë të shpendëve dhe peshqve që janë përgjithësisht më të ulët në yndyrna sesa mishi i kuq; shkurtoni mishin me sasi të madhe yndyre dhe kufizoni konsumin e mishit të përpunuar.
• Zgjidhni versionet me pak yndyrë ose me aspak yndyrë të qumështit dhe produkteve të qumështit.
• Shmangni ushqimet e përpunuara, të pjekura dhe të skuqura që përmbajnë yndyrë të prodhuar në mënyrë industriale.
• Provoni të vloni në vend që të skuqni ushqimin kur gatuani.
4. Kufizoni konsumimin e sheqerit
• Pini shumë ujë. Kurdoherë që është në dispozicion dhe i sigurt për konsum, uji i çezmës është pija më e shëndetshme dhe më e lirë.
• Kufizoni konsumimin e ëmbëlsirave dhe pijeve me sheqer, siç janë lëngjet e frutave, koncentratet e lëngshme mepluhur, uji me aromë, pijet energjike dhe pije sportive, çaj dhe kafe të gatshme dhe qumështin me aroma dhe shije shtesë.
• Zgjidhni fruta të freskëta në vend të mes-shujtave të ëmbla siç janë keksat, ëmbëlsirat dhe çokollatat.
• Shmangni dhënien e ushqimeve me sheqer për fëmijët. Kripa dhe sheqernat nuk duhet të shtohen në ushqime plotësuese që u jepen fëmijëve nën 2 vjeç, dhe duhet të kufizohen përtej kësaj moshe.
5. Shmangni përdorimin e rrezikshëm dhe të dëmshëm të alkoolit
Alkooli nuk është pjesë e një diete të shëndetshme. Pirja e alkoolit nuk mbron nga COVID-19 dhe mund të jetë e rrezikshme. Konsumimi i shpeshtë ose i tepërt i alkoolit rrit rrezikun tuaj të menjëhershëm të lëndimit, si dhe shkakton efekte afatgjata si dëmtimi i mëlçisë, kanceri, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet mendore. Nuk ka një nivel të sigurt të konsumit të alkoolit.
6. Bebet në ushqyerje me gji dhe fëmijët e vegjël
Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për foshnjat. Është i sigurt, i pastër dhe përmban antitrupa të cilët ndihmojnë në mbrojtjen kundër shumë sëmundjeve të zakonshme të fëmijëve. Gratë me COVID-19, mund të ushqehejnë fëmijët e tyre me gji nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë, por duhet të marrin masa parandaluese dhe kontrolli ndaj infeksionit.
• Foshnjat duhet të ushqehen me gji ekskluzivisht gjatë 6 muajve të parë të jetës, pasi qumështi i gjirit siguron të gjitha lëndët ushqyese dhe lëngjet e nevojshme.
• Nga mosha 6 muajsh, qumështi i gjirit duhet të plotësohet me një shumëllojshmëri të ushqimeve të përshtatshme, të sigurta ushqyese. Ushqyerja me gji duhet të vazhdojë deri në moshën 2 vjeç ose më shumë.
• Mos shtoni kripë dhe sheqerna në ushqime për foshnje dhe fëmijë të vegjël.
Masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit për një nënë me COVID-19 e cila dëshiron ta ushqejë me gji fëmijën e saj ose të praktikojë kontakt me lëkurë, përfshijnë:
• Veshja e një maskë mjekësore; Nëse ajo nuk ka një maskë, ajo ende duhet të inkurajohet të vazhdojë ushqyerjen me gji dhe sigurimin e qumështit të gjirit pasi përfitimet e ushqyerjes me gji tejkalojnë rreziqet e mundshme të transmetimit të virusit.
• Teshtitja dhe kollitja në një faculetë dhe largimi menjëhershëm i faculetës.
• Praktikimi i higjenës së shpeshtë të duarve, veçanërisht para dhe pas mbajtjes së fëmijës së saj, me sapun dhe ujë ose pastrimi i duarve me dezinfektues nëse është e mundur.
• Shmangni të folurit gjatë gjidhënies së fëmijës pasi sperklat mund të prodhohen gjatë bisedës.
Nuk ka prova se COVID-19 mund të përhapet përmes kontaktit gjatë paketimit të ushqimit ose shërbimit të ushqimit. COVID-19 përgjithësisht mendohet se përhapet nga një person në tjetrin. Sidoqoftë, është gjithmonë e rëndësishme të praktikoni një higjienë të mirë kur shërbeni ushqim për të parandaluar ndonjë sëmundje të lindur nga ushqimi.
Këshilla për sigurinë e ushqimit gjatë COVID-19
Ndiqni pesë çelësat e OBSH-së për ushqim më të sigurt:
- Mbajeni ushimin të pastër
- Ndani ushqimet e papërpunuara dhe të gatuara
- Gatuani tërësisht ushqimet
- Mbajeni ushqimin në temperatura të sigurta
- Përdorni ujë të sigurt
Tekstin Origjinal e gjeni tek : WHO