Ndërsa vendet preken nga sëmundja koronavirus 2019 (COVID-19), së shpejti popullatës së moshuar do t’i thuhet të izolohen për “një kohë shumë të gjatë” në Mbretërinë e Bashkuar, dhe vende tjera. Kjo përpjekje për t’i mbrojtur mbi 70 vjeçarët, dhe në këtë mënyrë të mbrohen edhe sistemet e mbingarkuara shëndetësore, vjen pasi vendet në mbarë botën imponojnë bllokime, ndalim-qarkullimi dhe izolim social për të zbutur përhapjen e sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes koronavirus 2 (SARS-CoV-2).
Sidoqoftë, dihet që izolimi social te të moshuarit është një shqetësim serioz për shëndetin publik për shkak të rrezikut të shtuar të problemeve kardiovaskulare, autoimune, neurokognitive dhe shëndetit mendor. Santini dhe kolegët demonstruan kohët e fundit se shkëputja sociale i vë të moshuarit në rrezik më të madh ndaj depresionit dhe ankthit.
Nëse ministritë e shëndetësisë udhëzojnë të moshuarit të qëndrojnë në shtëpi, ua sigurojnë ushqimet dhe ilaçet vitale, dhe i udhëzojnë të shmangin kontaktet sociale me familjen dhe miqtë, atëherë nevojitet veprim urgjent për të lehtësuar pasojat e shëndetit mendor dhe fizik.
Vetë-izolimi do të prekë në mënyrë disproporcionale individët e moshuar, kontakti i vetëm social i të cilëve është jashtë shtëpisë, të tilla si në vendet e kujdesit ditor, qendrat e komunitetit dhe vendet e lutjeve. Ata që nuk kanë familje ose miq të ngushtë, dhe mbështeten në mbështetjen e shërbimeve vullnetare ose kujdesit shoqëror, mund të rrezikohen më shumë, së bashku me ata që janë tashmë të vetmuar, ose të izoluar.
Teknologjitë në internet mund të shfrytëzohen për të siguruar rrjete të mbështetjes sociale dhe ndjenjën e përkatësisë, megjithëse mund të ketë pabarazi në qasjen ose shkrim-leximin në burimet dixhitale. Ndërhyrjet thjesht mund të përfshijnë thirrje më të shpeshta telefonike me njerëz të tjerë të rëndësishëm, familje dhe miq të ngushtë, organizata vullnetare, ose profesionistë të kujdesit shëndetësor, ose projekte në lidhje me komunitetin që ofrojnë mbështetje nga bashkëmoshatarët gjatë gjithë izolimit të detyruar. Përtej kësaj, terapitë kognitive të sjelljes mund të jepen në internet për të ulur nivelin e vetmisë dhe për të përmirësuar mirëqenien mendore.
Izolimi i të moshuarve mund të zvogëlojë transmetimin, gjë që është më e rëndësishmja për të vonuar pikun e rasteve, dhe për të minimizuar përhapjen në grupe me rrezik të lartë. Sidoqoftë, respektimi i strategjive të izolimit zakonisht ulet me kalimin e kohës. Masat e tilla zbutëse duhet të përcaktohen në mënyrë efektive për të parandaluar transmetimin, por të shmangin rritjen e prekjes nga COVID-19 të shoqëruar me çrregullime afektive. Ky efekt do të ndihet më shumë në popullatat më të pafavorshme dhe të margjinalizuara, të cilat duhet të synohen urgjentisht për zbatimin e strategjive parandaluese.
Ne nuk deklarojmë interesa konkurruese.
Tekstin origjinal e gjeni te “The Lancet”.