Komenti i Task Forcës në Mbretërinë e Bashkuar vjen në mes të presionit në rritje për të siguruar PPE për punonjësit e shëndetit
Testimet për një vaksinë Covid-19 mund të përfundojnë nga mesi i gushtit, tha një këshilltar kryesor i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
John Bell, një anëtar i ekipit të formuar nga qeveria për vaksinën e koronavirusit, tha për programin e sotëm të BBC Radio 4 që testimet në njerëz kishin filluar gjatë kësaj jave në Universitetin e Oksfordit.
Por, Bell theksoi se “pyetja e vërtetë” nuk ishte se kur vaksina do të jetë në dispozicion, por nëse do të ishte e efektshme.
“Pyetja është: a do t’i mbrojë njerëzit duke e marrur parasysh që nuk është testuar, por do të testohet vetëm pasi të jenë vaksinuar një numër të konsiderueshëm njerëzish, pastaj të ekspozohen ata ndaj virusit dhe të llogariten se sa njerëz e kanë virusin në atë popullsi,” tha ai.
“Por, nëse gjërat shkojnë mirë dhe ka efikasitet, atëherë unë mendoj se është e arsyeshme të mendojmë që ata do të mund ta përfundonin testimin e tyre deri në mes të gushtit.”
Bell shtoi se një vaksinë kandidate që po testohet në Universitetin e Oksfordit është provuar në “njeri” për herë të parë të enjten, pas një game të gjerë studimesh mbi sigurinë.
“Nëse ne mund të shohim prova të një reagimi të fortë imunitar nga mesi ose fundi i majit, atëherë mendoj se jemi në lojë,” tha ai, duke shtuar se hapi tjetër do të jetë “çështja madhore se si të prodhohet në një shkallë prej miliarda dozash ”.
Komentet erdhën në mes të presionit në rritje të qeverisë për të siguruar pajisje personale mbrojtëse (PPE) për stafin e linjës së parë të frontit në spitale dhe shtëpitë e përkujdesjes, pasi u kuptua që shefat e NHS u kanë kërkuar mjekëve dhe infermierëve të punojnë pa veshje mbrojtëse kur trajtojnë pacientët me Covid-19.
Chris Hopson, shef ekzekutiv i Siguruesve të NHS, tha se disa furnizime do të mbarojnë të shtunën ose të dielën, sepse stoku i rezervave kombëtare të veshjeve mbrojtëse tani po “shterron”.
Të premten, sekretari i biznesit Alok Sharma njoftoi detaje për grante në të holla për hulumtime në vaksinat dhe trajtimet e mundshme, mes tyre një ilaç antitrupash, për të cilin qeveria shpreson se mund të jepet si një infuzion i rregullt për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe grupet e tjera me rrezik të lartë, dhe do të siguronte mbrojtje mbase për disa javë ose muaj.
Një studim i Shoqatës Mjekësore Britanike (BMA) i realizuar në mbi më shumë se 6.000 mjekë në të gjithë vendin tha që një pjesë e konsiderueshme mbetet pa mbrojtjen e nevojshme për t’u mbrojtur nga Covid-19.
Kryetari i këshillit BMA Dr Chaand Nagpaul deklaroi: “Qeveria thotë se së shpejti do të dërgohen 1 miliardë paisje mbrojtëse dhe megjithëse ka pasur shenja përmirësimi, hulumtimi ynë tregon qartë se pajisjet nuk po arrijnë te të gjithë mjekët që punojnë në vijën e parë”.
“Shumë mjekë dhe staf të kujdesit shëndetësor tashmë kanë humbur jetën. Ne nuk mund të lejojmë të rrezikojmë të humbasim më. Vetëm dje sekretari i shëndetit dhe ndihmës sociale tha që ai nuk mund të garantojë se spitalet nuk do të mbesin pa paisjet mbrojtëse këtë fundjavë”, shtoi Nagpaul.
Të paktën 56 punëtorë të NHS kanë vdekur tani pas infektimit me koronavirusin duke ushtruar profesionin e tyre. Numri aktual i punonjësve shëndetësor që kanë humbur jetën ngjanë të jetë më i lartë, pasi jo të gjitha vdekjet do të jenë në domenin publik.
Tekstin origjinal e gjeni te “The Guardian”.