Kjo do të na kërkonte të sakrifikojmë një numër të madh të atyre që janë më të rrezikuarit për hir të ekonomisë
Muajt e kaluar kanë qenë një përvojë e tensionuar për të gjithë ne. Nga shqetësimi i madh i shkurtit, deri në humnerën e pafund që ishte muaji Mars, jeta jonë është konsumuar nga realitetet e pandemisë së koronavirusit që ka përfshirë globin. Dhe përkundër disa “lemzave” të hershme, reagimi ynë ka qenë vërtet i mahnitshëm – duke mbyllur plotësisht jetën tonë në një mënyrë që dukej e pamundur vetëm disa javë më parë, të gjitha këto për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje e tmerrshme që po shkatërron botën.
Por tani, ndërsa ne ulemi në zyret e improvizuara në shtëpitë tona, ka një dritë në fund të tunelit. Numrat e rasteve kanë filluar të bien – në Australi, kemi parë një rënie të vazhdueshme të shkallës së rasteve të reja për gati një javë tani – dhe pyesim veten: Çfarë tash? Si kalojmë nga izolimi në jetën normale?
Kjo na shpie te imuniteti i masës.
Gjersa fundi i izolimit tonë nga Covid-19 shihet larg në horizont, shumë njerëz kanë filluar të argumentojnë se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund këtij purgatori të distancës sociale është që të lejojmë që virusi të dalë “i lirë”, ose të paktën pjesërisht i lirë. Ata flasin për diçka të quajtur ‘imuniteti i masës’ për të forcuar këtë ide, sikur të ishte një rrugëdalje më e lehtë sesa diçka tmerruese që duam ta shmangim me çdo kusht.

Pse nuk është ide e mirë? Më lejo të shpjegohem.
Imuniteti i masës është një koncept i thjeshtë epidemiologjik që përshkruan gjendjen ku shumica e njerëzve janë imun ndaj një sëmundjeje, dhe kjo ndalon përhapjen në popullatë. Në thelb, nëse 80 njerëz nga 100 nuk mund ta marrin sëmundjen, atëherë 20 personat që mund ta marrin atë do të mbrohen sepse nuk ekspozohen kurrë. Çdo përhapje e infeksionit do të eleminohej shpejt në këtë skenar.
E gjithë kjo tingëllon mahnitëse, por problemi me imunitetin e masës është se me të vërtetë varet nga vaksinimi. Pa një vaksinë, mënyra e vetme për t’u bërë imun ndaj një sëmundjeje është ta merrni atë dhe t’i mbijetoni, gjë që e bën këtë strategji edhe më fatale.
Për të parë se sa më fatale është, le t’i shohim numrat. Vlerësimet tona fillestare vendosin pragun e imunitetit të masës për Covid-19 – përqindja e njerëzve që duhet të jenë imun që sëmundja të ndalojë përhapjen – në 60-70% të popullsisë. Kështu që 60-70% e njerëzve duhet të infektohen në minimum me Covid-19 që imuniteti i masës të hyjë “në lojë”, megjithëse të dhënat e reja nga CDC tregojnë se numri mund të jetë deri në 85%. Dhe është e rëndësishme të theksohet se me të vërtetë nuk mund t’i përzgjedhni këta njerëz, sepse nëse nuk e arrini atë prag në çdo pjesë të vendit, do të ketë akoma përhapje të sëmundjes. Ideja se ne mund të infektojmë vetëm të rinjtë është thjesht e pasaktë, së pari sepse nuk është se si funksionon shoqëria, por edhe sepse ajo do të krijojë grupime me imunitet të ulët, ku sëmundja mund të përhapet ende.
Në Australi, kjo do të nënkuptonte afërsisht 15-17 milion infeksione me koronavirus. Tani, ne gjithashtu kemi një ide mjaft të saktë për shkallën e vdekjes nga kjo sëmundje – ndërsa niveli i fatalitit te rastet është mjaft i lartë, shkalla e vërtetë e infeksionit-fatalitetit duke pasur parasysh një sistem shëndetësor që nuk është i mbingarkuar me raste ka gjasa të jetë rreth 0.3-0.6% . Me fjalë të tjera, përfshirë të gjitha rastet asimptomatike (njerëzit që e kanë sëmundjen, por kurrë nuk shfaqin simptoma), rreth tre deri në gjashtë nga çdo një mijë të infektuar do të vdesin. Duke shumëzuar këta numra, ne mund të shohim se, nëse ndjekim imunitetin e masës, skenari i rastit më të mirë përbën vdekjen e njerëzve midis 43,000 dhe 100,000 në Australi.
Kjo është me të vërtetë shumë.
Por mbani mend, kjo ndodh nëse sistemi shëndetësor nuk mbingarkohet. Siç e kanë theksuar shumë, lejimi i virusit të jetë “i lirë” vjen me kosto, një prej të cilave është që spitalet thjesht nuk mund të trajtojnë të gjithë ata që janë të sëmurë në të njëjtën kohë. Për shembull, Suedia, e cila fillimisht zgjodhi një qëndrim indiferent ndaj Covid-19, tani raportohet se po refuzon të shtrijë personat me moshën mbi 80 vjeçare në shtretërit ICU, madje edhe ato raste nën 80 vjeç por qe kanë edhe sëmundje shoqëruese, për shkak të pamundësisë së kujdesit për të gjithë. Nëse marrim një vështrim më pesimist të shkallës së vdekshmërisë, ku sistemi ynë spitalor po lufton, mund të shohim rreth 250,000 njerëz të vdekur para se të arrinim në pragun e imunitetit të masës prej 60-70%.
Dhe kjo ka të bëjë vetëm me vdekjet. Ne ende nuk e dimë se cilat janë ndërlikimet afatgjata të Covid-19, por është e drejtë të supozojmë se do të ketë disa. Ekziston gjithashtu një kosto e madhe për të pasur një pjesë të madhe të popullatës shumë të sëmurë në të njëjtën kohë, duke filluar nga vështirësitë e ofrimit të shërbimeve themelore deri në makthin e familjeve të tëra që sëmuren njëkohësisht.
Fakti i thjeshtë është se imuniteti i masës, pa një vaksinë, nuk është një mënyrë e thjeshtë për të ecur përpara. Edhe nëse përfundimisht e arrijmë atë pragun magjik 60-70%, do të vijë me një kosto marramendëse. Duke pasur parasysh natyrën e sëmundjes, vdekjet dhe sëmundja do të jenë më të përqendruara te personat më të moshuar dhe të pafavorizuar, gjë që është veçanërisht shqetësuese për këdo që kujdeset për ata mbi moshën 60 vjeç.
Në fund të fundit, hapi i radhës që ne do marrim do të jetë më shumë një vendim politik sesa një vendim shkencor, dhe Scott Morrison konfirmoi të enjten se imuniteti i masës nuk ishte një qasje që Australia po ndjek. Por, ia vlen të kujtojmë se çdo rrugë që marrim vjen me një kosto. Për disa, imuniteti i masave mund të mbetet akoma idilik, por do të na kërkonte të sakrifikojmë një numër të madh të atyre që janë më të rrezikuarit për hir të ekonomisë. Nuk mund të flas për të gjithë, por personalisht do të preferoja të rrija brenda edhe për disa muaj të tjerë dhe të shoh prindërit e mi gjallë edhe vitin e ardhshëm.
Tekstin origjinal e gjeni te “The Guardian”.