Pandemia e HIV-it na jep mësime për përgjigjen ndaj pandemisë së re koronavirus 2019 (COVID-19): asnjë vaksinë nuk është në dispozicion për asnjërën dhe nuk ka asnjë bar farmaceutik të licencuar për COVID-19, ashtu si nuk kishte për infeksion HIV në vitet e para . Sjellja e popullsisë do të përcaktojë trajektoren pandemike të COVID-19,1 ashtu siç bëri për HIV.
Sindroma e rëndë akute respiratore koronavirus 2 (SARS-CoV-2) dhe HIV janë natyrisht të ndryshme. Infeksioni i patrajtuar me HIV zakonisht shkakton vdekje; SARS-CoV-2 vret një pakicë. Ndryshimet e sjelljes që do të ngadalësojnë përhapjen janë të ndryshme: sjellja seksuale dhe ndarja e gjilpërave për HIV, kufizimet fizike dhe larja e duarve për SARS-CoV-2. Rastet e hershme të HIV-it u dyfishuan gjatë 6-12 muajve, për SARS-CoV-2 kjo është çështje ditësh.
Një epidemi e rëndë COVID-19 në vendet me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme (ang. LMIC), me sisteme të dobëta shëndetësore është një perspektivë e paqartë. Në shumë mënyra, historia e parandalimit të HIV-it është e dështimit të shëndetit global. Rreth 32 milion kanë vdekur me Afrikën sub-Sahariane të prekur më keq. Por, mësimet kritike janë mësuar: tre nga ato veçohen.
Së pari, ekziston nevoja për të parashikuar pabarazitë shëndetësore. Transmetimi pandemik i HIV u përshpejtua midis rrjeteve të lëvizshme, të mirë ndër-lidhura , por barra u zhvendos tek njerëzit dhe vendet më të varfëra , gratë e reja dhe grupet e margjinalizuara. Barra globale e COVID-19 ka të ngjarë të bjerë më së shumti midis njerëzve të moshuar dhe grupeve të cenueshme në LMIC. Ne duhet të ndjekim statusin socio-ekonomik dhe gjininë e të prekurve dhe të shtrojmë këtë përpjekje për të gjurmuar ndikimet ekonomike. Shtetet anëtare të KB janë zotuar se “askush nuk do të mbetet pas”. Përgjigja globale ndaj COVID-19 duhet ta respektojë këtë premtim. Kushtet sociale e bëjnë të vështirë për të prekurit të ndryshojnë sjelljet. Inkurajimi për “Abstenoni, Jini besnikë dhe Përdorni Prezervativët” nuk mund të parandalonte HIV-in kur pabarazitë gjinore dhe stigma ishin normë. Në mënyrë të ngjashme, ndjekja e udhëzimeve për të larë duart dhe për të siguruar distancën fizike do të jetë më e vështira për ata që jetojnë në varfëri. Iniciativat e shëndetit publik duhet të kapërcejnë barrierat për të arritur te njerëzit e varfër, edhe nëse ato tani duket se preken më pak nga virusi
Nga zbulimet e reja shpesh më së shpejti përfitojnë ata që janë ekonomikisht më të fuqishëm, duke rritur pabarazinë. Vendet e pasura mund të kërkojnë t’u jipen përparësi në dozat e vaksinave për njerëzit e tyre. Miliona njerëz jo të pasur kanë vdekur për shkak të qasjes së pabarabartë në antiretroviralët që shpëtojnë jetën, dhe i njejti trend mund të ndodhë me COVID-19. Politika globale duhet të prioritizojë mundësinë e qasjes në inovacione për ata individë që kanë nevojë më të madhe. COVID-19 nuk do të prekë të gjithë në mënyrë të barabartë. Përpjekjet tona duhet ta kenë parasysh këtë pabarazi, jo ta rrisin atë.

Së dyti, krijoni një mjedis aftësues për të mbështetur ndryshimin e sjelljes. Liderishipi politik i shpejtë dhe vendimtar është krucial. Mbyllja e shkollës dhe masat e karantinës janë mjete të fuqishme. Por mësimi nga HIV është se mbështetja e sjelljeve më të sigurta nënkupton adresimin e strukturave që kufizojnë ose mundësojnë zgjedhjet e njerëzve. Ashtu siç dhuna me bazë gjinore pengonte zgjedhjet më të sigurta të sjelljes seksuale për gratë, mungesa e ujit të pastër do të kufizojë larjen e duarve. Në një afat të shkurtër, do të nevojiten përgjigje pragmatike, si shpërndarja e shpejtë në masë e sapunit, dezinfektuesve dhe pajisjeve mbrojtëse personale për SARS-CoV-2 (ashtu si ishte shpërndarja e prezervativëve femror për kontrollin e HIV).
Qasjet moderne për parandalimin e HIV udhëhiqen nga një kornizë socio-ekologjike. Përfshirja domethënëse e komuniteteve mund të formësojë normat sociale. Ndërtimi i kapitalit shoqëror, besimi dhe kohezioni i komunitetit katalizon ndikimin e mesazheve shëndetësore dhe mund të nxiten duke mbështetur udhëheqjen lokale. Këto dinamika përshpejtuan kontrollin e HIV-it tek meshkujt homoseksual në SHBA, punëtorët e seksit në Indi dhe Tajlandë dhe komunitete të tjera. Skema e përgjigjes COVID-19 do të duhej të përfshijë njerëzit e moshuar, ata me komorbiditete dhe ata që tashmë jetojnë në margjinë.
Pasojat shoqërore të padëshiruara duhet të shmangen. Ligjet që kontribuojnë në fajësimin e shoqërisë çojnë në paragjykime, të cilat penguan përpjekjet për të kontrolluar HIV-in. Nëse personat e infektuar me SARS-CoV-2 bëhen të stigmatizuar, të tjerët mund të kenë më pak të ngjarë të vetë-karantinohen. Në mënyrë të ngjashme, shpërfaqja e përmbysjes ekonomike globale do të ketë ndikime të mëdha në LMIC që mund të përkeqësojnë kushtet që përhapin SARS-CoV-2, për shembull që çojnë në trazira sociale. Ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj këtyre dinamikave që në fillim.
Së treti, një përpjekje multidisiplinare është thelbësore. Modelet epidemiologjike mund të parashikojnë dinamikën e epidemisë SARS-CoV-2. Por një përpjekje multidisiplinare është thelbësore për të hartuar, karakterizuar dhe vlerësuar ndërhyrjet që mund të formësojnë sjelljen. Elementet inovative të përgjigjes ndaj HIV përfshijnë mobilizimin e strukturuar të komunitetit, mbrojtjen e targetuar të shoqërisë dhe ofrimin e diferencuar të kujdesit shëndetësor. Qasjet e shkencës zbatuese kanë lejuar studimin me kohë të modeleve të reja të kujdesit shëndetësor dhe ofrimit të shoqërive.
LMIC duhet të kenë qasje në pajisjet mbrojtëse dhe sanitare para se të rriten epidemitë e tyre. Programet e testimit duhet të fillojnë menjëherë, dhe gjurmimi i kontaktit do të jetë esencial. Por, inovacioni dhe përshtatja do të jenë të nevojshme për t’i bërë këto përpjekje efektive në mjedise të reja. Një teori e ndryshimit është e nevojshme për të përshkruar sesi inputet (p.sh., mesazhet e qeverisë) duhet të çojnë në aktivitete (p.sh., njerëzit që përshtaten të punojnë vetëm) që do të çojnë në rezultate (p.sh., më pak kontakte fizike) për të zvogëluar përhapjen e virusit. Teoria sociale dhe e sjelljes është e rëndësishme këtu, për të plotësuar teorinë epidemiologjike në modele.
Ndërsa vendet caktojnë mënyra të ndryshme për të kontrolluar pandeminë, ne duhet të karakterizojmë se cilat masa janë duke korrur suksese në praktikë, të vlerësojmë se si njerëzit reagojnë dhe të jemi vigjilent ndaj efekteve të padëshiruara. Ashtu sikur modeluesit që duhet të mbrojnë parashikimet e tyre, ashtu edhe krijuesit e politikave duhet të sqarojnë provat dhe teorinë që ndërlidhen me ndryshimet e sjelljes. Transparenca lehtëson vlerësimin dhe inkurajon shqyrtimin e supozimeve, çon në praktikë më të mirë dhe shfrytëzon idetë nga një varg disiplinash shkencore.
Tre mësime nga përgjigja e HIV mund të ndihmojnë në ndalimin e transmetimit eksponencial të SARS-CoV-2, të zvogëlojë vdekjet, të parandalojë shpërthimet e ardhshme dhe të mbështesë komunitetet e prekura në LMIC. Politikat duhet të krijojnë ambiente lehtësuese për distancim fizik dhe ndërhyrje që funksionojnë për promovimin e shëndetit. Këto politika duhet të kenë një teori të ndryshimit dhe të adresojnë pabarazitë. Vendimmarrësit nga të gjithë sektorët, në të gjitha nivelet, duhet të mbështeten për të hartuar, zbatuar dhe vlerësuar qasjet e parandalimit dhe zvogëlimin e transmetimit SARS-CoV-2. Më në fund, LMIC-të do të duhet të përkrahen për të forcuar tërë sistemin shëndetësor, siç reflektohet në Agjendën e Qëllimit të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Një valë e veprimit dhe vlerësimit të shëndetit publik të ndërtuar mbi këto parime duhet të fillohet menjëherë.
Artikullin origjinal e gjeni në www.thelancet.com