(Reuters) – Spitalet amerikane të dëshpëruara për të ndihmuar pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19, sëmundjen ngjitëse të frymëmarrjes të shkaktuar nga koronavirusi i ri, po provojnë një trajtim të përdorur për herë të parë në vitet 1890 që mbështetet në plazmën e gjakut të dhuruar nga pacientët e rikuperuar.
Njerëzve që i mbijetojnë një sëmundjeje infektive si COVID-19 në përgjithësi gjaku ju mbetet me antitrupa, ose proteina të krijuara nga sistemi imunitar i trupit për të luftuar një virus. Komponenti i gjakut që mbart antitrupat mund të grumbullohet dhe t’u jepet pacientëve të infektuar rishtazi – kjo njihet si “plazma e rikuperuar”.
Më shumë se 275,000 amerikanë kanë dalur pozitiv me Covid-19, gjersa epidemiologët thonë se ka gjasa që qindra mijëra e kanë këtë sëmundje.
Për të ndihmuar në harmonizimin e donatorëve me spitale, AABB, më parë e njohur si Shoqata Amerikane e Rezervave të Gjakut këtë javë nxori udhëzime për grumbullimin e plazmës. Kryqi i Kuq Amerikan gjithashtu filloi një regjistër në internet për donatorët e mundshëm.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave të premten njoftoi për një program “qasje e zgjeruar” për plazmën e rikuperuar, e koordinuar nga Klinika Mayo në Rochester, Minesota, që synon ta bëjë më të lehtë grumbullimin dhe përdorimin e plazmës për spitalet në të gjithë vendin.

A KA DËSHMI QË KJO MUND TË FUNKSIONOJË?
“Historikisht, kjo ka funksionuar,” tha Dr. Jeffrey Henderson, profesor i asociuar i mjekësisë dhe mikrobiologjisë molekulare në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis. “Para se të ekzistonte vaksina, kjo metodë përdorej për sëmundjet infektive si fruthi dhe difteria”.
Plazma e rikuperuar u përdor gjithashtu me sukses gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, tha ai.
Mjekët thonë se protokollet, të tilla si dozimi, janë akoma të pasigurta për pacientët Covid-19, por ata besojnë se metoda ia vlen të provohet, të paktën derisa të zhvillohet një vaksinë apo trajtim efektiv për Covid-19.
Klinika Mayo dhe vendet e tjera të SHBA-së po kryejnë një studim klinik. Teste të ngjashme janë duke u zhvilluar në vendet e tjera të goditura nga virusi dhe disa të dhëna kanë filluar të shfaqen.
Në një testim në Kinë, nivelet e virusit në pesë pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19 ishin të pazbulueshme pas transfuzioneve plazmatike, sipas rezultateve të studimit të publikuar javën e kaluar në ‘The Journal’ të Shoqatës Amerikane Mjekësore.
SI PO PROVOHET PLAZMA?
Procesi përfshin marrjen e gjakut nga një donator – në këtë rast dikush që është shëruar nga Covid-19, por në përgjithësi është me shëndet të mirë dhe i plotëson kriteret e tjera për dhurimin e gjakut – dhe rrjedhjen e tij përmes një makine për të nxjerrë plazmën. Gjaku i mbetur i kthehet dhuruesit.

Procesi zgjatë deri në 90 minuta, dhe plazma e një donatori të vetëm mund të përdoret për të trajtuar tre ose katër pacientë.
Donatorët duhet të ishin të diagnostifikuar me COVID-19, dhe duhet të presin një periudhë të caktuar kohe pasi të dalin negativ për sëmundjen, përpara se të dhurojnë plazmën. Testet gjithashtu janë duke u zhvilluar për të matur vëllimin e antitrupave.
Qendrat, përfshirë Spitalin Metodist të Houston dhe disa spitale të goditura nga sëmundja New York City, kanë përdorur trajtimin eksperimental në baza urgjente për pacientët që janë të sëmurë rëndë me COVID-19.
Dr Timothy Byun, një hematolog / onkolog në Spitalin Shën Jozef në Orange, Kaliforni, dozoi të mërkurën pacientin e tij të parë COVID-19. Ai tha se pacienti po ndihej më mirë, por ishte shumë herët për të thënë nëse terapia ishte efektive.
Shën Jozefi, një spital me 450 shtretër, nuk ka një qendër dhurimi gjaku dhe përkundrazi duhej të modifikonte një aparat dializash për të mbledhur plazmën nga dhuruesi.
Para infuzionit plazmatik, pacienti i Byun kishte marrë trajtime të shumta, duke përfshirë ilaçin e malaries hidroksiklorokinë dhe medikamentin intravenoz anti-inflamator Actemra, por sërish gjendja e tij u përkeqësua.
Rreziqet e terapisë plazmatike mund të përfshijnë reaksione në vendin e infuzionit ose reagime të tjera të rralla, alergjike.
“Nga opsionet e tanishme terapeutike, besoj se plazma e rikuperuar ofron mundësinë më të mirë të efikasitetit në trajtim,” tha Dr. Daniel McQuillen, një specialist i sëmundjeve infektive në Lahey Hospital & Center Medical në Burlington, Massachusetts.
Artikullin e plotë e gjeni te “Reuters”.