Hyrje
Ky është botimi i parë i udhëzimeve për përdorimin e strategjive të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit (PKI) në rastet e dyshimta për infeksion me koronavirusin e ri (2019-nCoV). Ky material është përshtatur nga botimi i OBSH ne titull Parandalimi dhe kontrolli i infeksioneve gjatë kujdesit shëndetësor për rastet e mundshme ose të konfirmuara me infeksion me koronavirusin që shkakton Sindromën Respiratore të Lindjes së Mesme (MERSCoV)1 , po ashtu është bazuar në njohuritë aktuale për situatën në Kinë dhe vendet e tjera ku janë identifikuar rastet e sëmundjes si dhe në bazë të përvojave paraprake me SARS (Sindroma Akute Respiratore e Rëndë) dhe MERS-CoV.
OBSH do të përditësojë këto rekomandime posa të mblidhen informacione të reja për sëmundjen. Ky udhëzues i dedikohet punëtorëve shëndetësorë (PSH), menaxherëve të institucioneve shëndetësore dhe ekipeve të PKI në institucionet shëndetësore, por ai është relevant edhe për kujdesin shëndetësor në nivelin kombëtar dhe atë rajonal. Udhëzimet e plota janë në dispozicion nga OBSH.
Parimet e strategjive të PKI të lidhura me kujdesin shëndetësor për infeksionet e dyshuara me nCoV Për të arritur nivelin më të lartë të efektivitetit në përgjigjen ndaj shpërthimit të epidemisë me 2019-nCoV duke përdorur strategjitë dhe praktikat që rekomandohen në këtë dokument, duhet të ketë një program për PKI me një ekip të përkushtuar dhe të trajnuar ose të paktën të caktohet një person si pikë fokale për PKI dhe të mbështetet nga menaxherët në nivelin nacional dhe atë institucional.

Në vendet ku PKI është i kufizuar ose nuk ekziston fare, është thelbësore që menjëherë të sigurohen të paktën 2 kërkesat minimale për PKI si në nivelin nacional ashtu edhe atë institucional, dhe pastaj gradualisht të përparojnë drejt arritjes së plotë të të gjitha kërkesave të përbërësve thelbësorë të PKI të bazuara në planet prioritare lokale .
Strategjitë e PKI për të parandaluar ose kufizuar përhapjen e infeksionit në institucionet shëndetësore janë:
- 1. Sigurimi i triazhës, identifikimit të hershëm dhe kontrolli i burimit të infeksionit (izolimi i pacientëve që dyshohet se kanë infeksion me nCoV);
- 2. Zbatimi i masave standarde mbrojtëse për të gjithë pacientët;
- 3. Zbatimi i masave empirike mbrojtëse shtesë (masat mbrojtëse ndaj spërklave infektive, masat mbrojtëse të kontaktit dhe sipas nevojës edhe masat mbrojtëse aerogjene) për rastet e dyshuara të infeksionit me nCoV;
- 4. Zbatimi i masave administrative të kontrollit të infeksioneve;
- 5. Përdorimi i masave të kontrollit mjedisor dhe inxhinierik.
