Nga Veton Kasapolli
Një aspekt i rëndësishëm po anashkalohet në diskursin mediatik – menaxhimi i komunikimit. Gjithçka po diskutohet nga data 18 mars e deri sot, por asnjëherë prapavija e dështimit të një organizate (në këtë rast të Qeverisë) për me menaxhu komunikimin në kohë krize (Virusit Korona) që po bëhet shkak për krizë politike. Në shembujt më të mirë organizatat (kompani, OJQ, agjenci, institucion, etj) përpilojnë dhe zbatojnë strategji se si të komunikojnë në kohë si këto.
Strategjitë përmbajnë ristrukturim të ekipit që merr në dorë komunikimin, e emëron zëdhënësin që do përfaqësoj organizatën, sigurohet të vendos bazë të grumbullimit të informacionit (informata dhe transparenca janë çelës për sukses) dhe cakton orare për komunikimi si dhe për rivlerësim të situatës si përgjigje ndaj zhvillimeve të krizës.
Kosova s’mbaj mend se ka ‘emëruar’ Ministrin e Shëndetësisë si zëdhënës (siç ka bërë Presidenti Trump me zëvendësin e tij Pence) por ka ardh natyrshëm si dikaster mbi të cilin rëndon më së shumti menaxhimi me Virusin Korona. Kohë pas kohe shfaqet shefi i organizatës (kryeministri Kurti) për të tregu përkrahje për ekipin dhe për të qetësu klientët (popullin), praktikë e parë edhe me Trump-in (në ShBA), vende të BE-së, etj. Ministri është lavdëru për komunikim të rrjedhshëm të informacionit. Ai gjithashtu është lavdëru për krijimin në kohë të shpejtë (1 javë pasi u mbyllën shkollat) të uebfaqes me informata mbi shpërndarjen e virusit në vend dhe për këshillat mjekësore.
Por, Ministri është kritiku për mos-përdorim të kanaleve zyrtare (si uebsite) sepse është fokusuar në rrjete sociale, dhe nuk ka patur një orar të caktuar të paraqitjeve publike kur bashkë me partnerët (Institutin Kombëtar të Shëndetësisë) do të paraqiteshin me të dhënat e 24 orëve të fundit (shembull i mirë Maqedonia e Veriut). Defektet e komunikimit në kohë krize po shpërfaqin një dukuri që është shndërruar në zakonshmëri të komunikimit në përgjithësi tek një pjesë e institucioneve, në këtë rast Qeveria.
Mungojnë strategjitë e protokollet e komunikimit. Këto strategji, ose protokolle komunikimi do të duhet të rregullojnë kush përfaqëson organizatën (institucionin) në çfarëdo kohe (Qeveria sapo kishte emëru zëdhënësit e vet, në një kohë të vështirë krize), si dhe nëse dikush tjetër përfaqëson atë (dhe që s’e ka përvojën e zëdhënësit të përgatitur), atëherë në cilat dokumente/rregulla duhet të bazohet dhe çfarë duhet të kihet parasysh të jepet mesazh i koordinuar dhe pa dëmtuar organizatën.
Në organizata normale (jo shembulli i qeverive të Kosovës) secili përfaqësues vendos interesin e organizatës përpara dikasterit/departamentit/grupit etj (në politikë lexo: partisë). Kjo qeveri, e disa të tjera para saj, i kanë mundësu deklarimin (në mungesë të komunikimit të strukturuar përmes zëdhënësit) secilit drejtues dikasteri edhe për tema jashtë Ministrisë që mbulojnë. Pa vlerësuar me emra, identifikim politik, apo edhe pasojat që mund të prodhohen si rezultat i këtyre zhvillimeve, duhet thënë se një menaxhim më i mirë i komunikimit në këtë kohë krize s’do t’i jepej shkas asnjëriu të merr veprime që shkaktojnë një krizë tjetër.
Komunikimi në kohë krize – Virusi Korona
previous post